Radio

G Radio

Ajërglobal

Një muaj G Travel with Style

Letër lexuesit

Nga Xhani Shqerra, Editor in Chief4 min lexim
Ndaj
Kopertine
Foto Andi Allko

Të dashur lexues, Po ju shkruaj një muaj pas nisjes së rrugëtimit të ri të G Travel With Style. Dhe, në vend që ta mas këtë muaj të parë me shifra, faqe, shikime apo statistika, preferoj ta mas me diçka që për mua vlen më shumë: me bindjen se ekziston ende një lexues që di të zgjedhë cilësinë, që dëshiron të njohë dhe nuk ndalet vetëm te ajo që shfaqet në sipërfaqe. Pikërisht duke menduar për këta lexues vendosa të bëj diçka ndryshe. Në një kohë kur tradita editoriale kërkon që kopertina e parë të vijë menjëherë, unë zgjodha që kopertina e parë e G Travel With Style të realizohej pas një muaji. Jo për vonesë, por nga bindja. Doja që, përpara se t'ju paraqisnim fytyrën e parë të këtij udhëtimi, të kishim ndërtuar shpirtin e tij. Doja që kopertina të mos ishte thjesht një imazh, por dëshmi e një pune, e një ekipi dhe e një mënyre tjetër të të menduarit për editorinë.

Sepse cilësia kërkon kohë. Dhe ajo që dëshiroj t'ju ofroj nuk është thjesht një botim i ri, por një këndvështrim.

Kur mendova për fotografinë e kësaj kopertine, nuk kërkova një emër rastësor. Kërkova Andin. E kam njohur më shumë se një dekadë më parë, në radio. Besova te talenti i tij dhe investova tek ai, fillimisht në projekte fotografike e më pas në video, me bindjen se një ditë do të bëhej një profesionist i njohur. Sot, ai besim rikthehet te pika e nisjes: Andi firmos kopertinën e parë të G Travel With Style dhe, me të njëjtën dashuri me të cilën portretizon Anxhelën, gjysmën e tij më të dashur, sjell në këtë fotografi kujdes, ndjeshmëri dhe të vërtetën e çastit. Dhe pikërisht nga bukuria e këtij ndërthurimi — mes imagjinatës dhe vështrimit, mes idesë dhe fotografisë, mes ndjeshmërisë dhe mjeshtërisë — lind kopertina jonë e parë: një rrëfim që përshkon ajrin, ujin, tokën, shijen dhe njerëzimin. Jo thjesht elemente, por koordinatat e një udhëtimi që dëshiron ta rrëfejë botën në formën e saj më autentike. Krahas fotografisë, idetë marrin jetë përmes imazhit në lëvizje. Videografi ynë është ai që u jep formë të gjallë koncepteve të mia, atyre ideve që shpesh lindin në imagjinatë dhe më pas kërkojnë një gjuhë për t'u bërë konkrete. Sepse një ide, kur është autentike, nuk mjafton të rrëfehet: duhet të arrish ta bësh të shihet, të dëgjohet, të përjetohet. Dhe pastaj është Artenisi, skulptori teknik i idesë: ai që, ditë pas dite, po e shndërron mendimin në realitet dhe realitetin në frymëzim. Një njeri që nuk e sheh idenë si diçka të përfunduar, por si një material që duhet punuar, formësuar dhe çuar më tej.

Këta njerëz janë pjesë e përgjigjes ndaj një pyetjeje që ia bëj vetes çdo ditë: si ta shndërrojmë një vizion personal në një gjuhë që të tjerët ta ndiejnë edhe si të tyren? Për mua, përgjigjja nuk gjendet vetëm tek unë. Ajo gjendet te njerëzit që mblidhen rreth një ideje. Te ata që besojnë. Te ata që e dinë se një projekt nuk ndërtohet vetëm me talent, por me durim, besnikëri, profesionalizëm dhe dashuri për atë që bën. Pikërisht për këtë arsye nuk dua ta ndërtoj G Travel With Style si një revistë që kufizohet vetëm te paraqitja e vendeve të bukura. Dua të ndërtoj një hapësirë ku territori, njeriu, arti, arkitektura, shija dhe udhëtimi të takohen. Ku të shohësh të mos mjaftojë, por të duhet të kuptosh. Ku të udhëtosh të mos nënkuptojë vetëm të mbërrish diku, por të kthehesh prej andej me një mendim të ri.

Jemi ende te A-ja. Por alfabeti ynë nuk dua të jetë vetëm imi. Dua ta ndërtojmë së bashku me ju: me lexuesit që zgjedhin cilësinë, me ata që ruajnë sy kureshtarë, mendje të hapur dhe zemër të përgjegjshme, me ata që besojnë se bukuria nuk është vetëm ajo që shihet, por edhe ajo që zbulohet.

Përpara nesh janë ende shumë faqe për t'u shkruar. Na presin një radio web e dedikuar, formate të reja televizive dhe gjuhë të tjera përmes të cilave ta çojmë këtë projekt përtej faqes së shkruar. Fjala do të takohet me zërin, fotografia me lëvizjen, ideja me realitetin.

E nëse sot jemi ende te shkronja e parë, kjo ndodh sepse historia e vërtetë nuk shkruhet vetëm nga ai që e nis. Ajo shkruhet së bashku me ju. Me mirënjohje dhe respekt, Xhani Frederik Shqerra Themelues dhe Drejtor Editorial i G Travel With Style

Zgjedhur për ju sipas temës dhe destinacionit.

Buletini

Udhëto me Stil, drejt asaj që të frymëzon.

Bashkohu me buletinin tonë për të marrë rrëfime udhëtimi, destinacione të reja, ftesa ekskluzive dhe përzgjedhjet më të mira nga G Travel with Style.

Të dhënat i përdorim vetëm për të dërguar buletinin. Çregjistrohu kurdo.