
Ka ide që lindin nga pasioni dhe, me kalimin e kohës, shndërrohen në një mënyrë të re për të treguar një vend. Lyto Alliu, themelues dhe drejtues i Star Campers Albania, ka zgjedhur ta tregojë Shqipërinë përmes një këndvështrimi ende të veçantë: qiellit të natës dhe astroturizmit. Që prej vitit 2020, Star Campers lëviz në territore të ndryshme të vendit, duke kërkuar zona ku natyra, qetësia dhe cilësia e qiellit mund të kthehen në një përvojë turistike. Në Gramsh, ky koncept mori një dimension më të gjerë përmes bashkëpunimit me komunitetin lokal, strukturat akomoduese, fermat, gastronominë dhe aktivitetet në natyrë.Këtu qëndron edhe rëndësia e kësaj nisme. Astroturizmi nuk është vetëm një natë nën yje; është një mënyrë për të krijuar ekonomi rreth territorit, për të sjellë vizitorin pranë prodhuesit vendas dhe për t’i dhënë vlerë asaj që ekziston tashmë: tokës, ushqimit, mikpritjes dhe peizazhit. Rreth 600 pjesëmarrës në tri net në Gramsh dëshmojnë se ekziston një interes real për këtë formë turizmi. Sfida tashmë është që ky interes të shndërrohet në një model të qëndrueshëm bashkëpunimi, ku iniciativa private, komuniteti dhe institucionet të ecin në të njëjtin drejtim. Për G Travel with Style, biseda me Lyto Alliun nis pikërisht nga kjo pikë: çfarë ndodh kur një ide e veçantë nuk sheh vetëm qiellin, por gjithë territorin që shtrihet poshtë tij?

Lyto, nga lindi ideja për ta sjellë këtë koncept pikërisht në Gramsh? Çfarë pe në këtë territor që të bëri të mendosh se ishte vendi i duhur për një eksperiencë të tillë?
Ideja për Gramshin erdhi shumë natyrshëm. Filozofia e Star Campers Albania që nga fillimi ka qenë të mos pozicionohemi në një vend të vetëm, por të lëvizim nëpër Shqipëri dhe, përmes astroturizmit, të promovojmë destinacione që kanë potencial, por që ende nuk e kanë marrë vëmendjen që meritojnë. Gramshi ishte një nga ato vende që, sa më shumë e njihja, aq më shumë mendoja se i përshtatej konceptit tonë. Ka qetësinë, natyrën, lartësinë dhe zona ku ndotja nga drita është shumë e ulët, pra kushtet që ne kërkojmë për një natë të mirë stargazing. Por ajo që më bindi më shumë ishte se Gramshi të jep mundësinë të mos e kufizosh eksperiencën vetëm te yjet. Mund ta kombinosh me hiking, jeep adventure, horse riding, ushqimin dhe produktet lokale, pra ta bësh vizitorin ta jetojë zonën.
Çfarë ndodh konkretisht gjatë këtyre netëve nën yje? Si është ndërtuar eksperienca dhe çfarë e bën të ndryshme nga një qëndrim i zakonshëm në natyrë?
Gjithçka nis me një ide të thjeshtë: t’i shkëpusim njerëzit për një natë nga rutina. Pas mbërritjes dhe akomodimit në camping, njerëzit kanë kohë të njihen me ambientin dhe me njëri-tjetrin. Mbrëmja vazhdon me muzikë live, kitarë pranë zjarrit, biseda dhe atë atmosferën e veçantë që krijohet kur shumë njerëz mblidhen në natyrë për të njëjtën eksperiencë. Me rënien e errësirës, fokusi kalon plotësisht te qielli. Fikim dritat, fillojmë vëzhgimin me teleskopë profesionalë, flasim për objektet qiellore, realizojmë astrofotografi dhe shijojmë Rrugën e Qumështit. Gjatë netëve të Perseidëve, momenti më i bukur është kur njerëzit shtrihen në bar dhe presin meteorët. Shpesh aty fillojnë të tregojnë histori nga fëmijëria, nga netët që kalonin dikur në fshat apo kur shtriheshin në bar dhe shikonin qiellin pa telefona e pa gjithë ritmin që kemi sot. Shumë prej tyre në fund na thonë: “Na kthyet për pak një copëz të fëmijërisë.” Për mua, ky është një nga emocionet më të bukura që na dhuron Star Campers. Eksperienca vazhdon edhe të nesërmen. Pas mëngjesit, këtë herë në Gramsh pjesëmarrësit kishin mundësi të zgjidhnin Jeep Adventure ose horse riding. Pra, nuk është thjesht camping apo vëzhgim yjesh, por një eksperiencë që bashkon natyrën, astronominë, muzikën, aventurën dhe, ndonjëherë, edhe kujtime që mendonim se i kishim harruar.

Për një vizitor që vjen nga jashtë Shqipërisë, si përjetohet e gjithë eksperienca? Ku qëndron, si akomodohet dhe çfarë mund të bëjë përtej vetë vëzhgimit të qiellit?
Për një vizitor të huaj, ne përpiqemi që eksperienca të jetë sa më e plotë dhe njëkohësisht sa më autentike. Opsioni ynë kryesor është camping-u, të cilin e ofrojmë vetë. Çadrat janë të pajisura me dyshekë dhe sleeping bags, kështu që vizitori nuk ka nevojë të vijë me pajisjet e veta. Edhe pse camping-u është pjesë e fortë e identitetit të Star Campers, ne ofrojmë gjithmonë edhe mundësinë e akomodimit në guest houses pranë zonës ku zhvillohet aktiviteti. Kjo është e rëndësishme edhe për filozofinë tonë, sepse duam që aktiviteti të ketë ndikim edhe te komuniteti lokal. Për këtë arsye bashkëpunojmë me bujtina dhe struktura të zonës, në mënyrë që një pjesë e vizitorëve të qëndrojnë aty dhe të njihen më nga afër me mikpritjen dhe jetën lokale. Megjithatë, ajo që na ka bërë përshtypje është se, edhe kur ua japim të dyja mundësitë, shumica vazhdojnë të zgjedhin camping-un. Mendoj se e bëjnë sepse duan ta jetojnë eksperiencën deri në fund: të flenë në natyrë, të zgjohen në mëngjes aty dhe të kenë ndjesinë se për një natë kanë dalë plotësisht nga rutina e tyre.
A është Gramshi sot i përgatitur për të pritur një turizëm të këtij niveli? A ekzistojnë kapacitetet e duhura të akomodimit, gastronomisë, aksesit dhe shërbimeve?
Gramshi e tregoi që ka potencial për të pritur aktivitete të kësaj natyre. Ne patëm rreth 600 pjesëmarrës në vetëm tri net, të akomoduar në forma të ndryshme ( në bujtina, në çadrat e ofruara nga ne apo me çadrat e tyre ) dhe sigurisht, një numër i tillë është një provë edhe për një destinacion që është ende në zhvillim. Ka nevojë për më shumë kapacitete akomoduese, më shumë shërbime dhe një ofertë turistike që të zhvillohet paralelisht me numrin e vizitorëve. Por unë nuk do ta shihja këtë vetëm si çështje të Gramshit. Mendoj se turizmi në Shqipëri po rritet më shpejt sesa po arrijmë ne të përgatitemi për të. Dhe këtu nuk flas vetëm për hotele apo rrugë. Kemi shumë nevojë të investojmë te njerëzit: te trajnimi i stafeve, te guidat, te mënyra si e presim turistin, si komunikojmë me të dhe si e kthejmë një shërbim të thjeshtë në një eksperiencë të mirë. Mund të kemi natyrën më të bukur, një hotel shumë të mirë apo ushqimin më të mirë, por nëse mungon shërbimi dhe profesionalizmi, turisti e ndien menjëherë. Gramshi i ka asetet kryesore: natyrën, gastronominë, mikpritjen dhe autenticitetin. Tani duhet punuar që këto të shoqërohen gjithnjë e më shumë me kapacitete dhe standarde profesionale. Dhe besoj se kjo është një sfidë që sot e ka jo vetëm Gramshi, por turizmi shqiptar në përgjithësi.

Sa i rëndësishëm është territori për një event të tillë? Çfarë ka konkretisht Gramshi që e favorizon astroturizmin dhe vëzhgimin e qiellit të natës?
Territori është shumë i rëndësishëm. Mund të kesh teleskopët më të mirë, por nëse ke shumë ndotje nga drita, nuk mund ta shijosh qiellin siç duhet. Gramshi në këtë pjesë na përshtatet shumë, sepse ka zona larg ndriçimit të qytetit, lartësi dhe hapësira të hapura ku qielli duket shumë mirë. Në fakt, kemi pasur shumë kërkesa që Star Campers ta organizojmë edhe pranë detit. Edhe mua më pëlqen shumë si ide, por problemi është që në shumë zona bregdetare, sidomos gjatë verës, ka shumë ndriçim. Dhe kur ka ndotje nga drita, humbet një pjesë shumë e madhe e asaj që duam t’u tregojmë njerëzve në qiell. Ne duam që ata të shohin Rrugën e Qumështit, meteorët dhe sa më shumë objekte qiellore, jo thjesht disa yje. Gramshi na dha kushtet që kërkonim, por edhe shumë mundësi për ta vazhduar eksperiencën ditën tjetër me natyrën dhe aktivitete të tjera. Kjo është edhe mënyra si i zgjedhim destinacionet: nuk shohim vetëm si është vendi gjatë ditës, por sidomos si duket qielli aty kur fiket çdo dritë.
A mund të flasim për astroturizmin si një produkt real turistik për Shqipërinë, apo jemi ende në fazën e zbulimit të këtij potenciali?
Mendoj se sot mund të flasim për astroturizmin si një produkt real turistik në Shqipëri, edhe pse kemi ende shumë për të zhvilluar. Kur nisëm në vitin 2020, ishte një koncept pothuajse i panjohur, ndërsa sot vetëm në tri net në Gramsh patëm rreth 600 pjesëmarrës. Kjo tregon që interesi ekziston dhe po rritet. Por mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm edhe me mënyrën se si e zhvillojmë. Astroturizmi për mua duhet të ruajë qetësinë dhe lidhjen me natyrën. Nuk besoj se duhet ta kthejmë në evente të mëdha me shumë zhurmë, koncerte apo ndriçim, sepse në atë moment humbet vetë arsyeja pse njerëzit kanë ardhur. Edhe ne kemi muzikë me kitarë pranë zjarrit, por në një moment të caktuar ajo ndalon, dritat fiken dhe e gjithë vëmendja kalon te qielli. Në fund, koncerti i vërtetë duhet t’i lihet qiellit, jo tokës. Meteorët, Rruga e Qumështit, heshtja dhe njerëzit e shtrirë në bar janë vetë eksperienca. Nëse arrijmë ta ruajmë këtë autenticitet dhe njëkohësisht ta lidhim me camping-un, bujtinat, gastronominë dhe aktivitetet në natyrë, atëherë astroturizmi mund të bëhet një produkt shumë i veçantë për Shqipërinë.
Turisti premium kërkon sot privatësi, natyrë, autenticitet dhe eksperienca të rralla. A mund ta pozicionojë Shqipëria astroturizmin si një produkt të nivelit ndërkombëtar?
Mendoj se Shqipëria ka shumë potencial për ta pozicionuar astroturizmin edhe si një produkt premium, por duhet të jemi realistë. Shumë nga njësitë tona akomoduese në zonat rurale ende nuk janë në standardin që kërkon një turist elitar ndërkombëtar dhe këtu kemi nevojë për më shumë investime, trajnim dhe rritje të cilësisë së shërbimit. Nga ana tjetër, mendoj se shpesh e ngatërrojmë turizmin premium vetëm me luksin. Një turist premium mund të kënaqet edhe në një bujtinë të vogël apo në një stan në mal, nëse çdo gjë është e pastër, e kuruar dhe shërbimi është në nivel. Mund të mos kesh një hotel me pesë yje, por mund t’i ofrosh një darkë me produkte lokale, një guidë shumë të mirë, privatësi, një teleskop profesional dhe një natë nën një qiell që nuk mund ta shohë në qytetet e mëdha të Evropës. Për mua, aty duhet të fokusohemi. Premium nuk është vetëm sa kushton dhoma, por sa e veçantë është ajo që përjeton dhe sa mirë i shërbehet turistit. Shqipëria e ka natyrën dhe autenticitetin; tani duhet të punojmë që edhe shërbimi të arrijë të njëjtin nivel.
Sa perspektivë ekonomike ka ky lloj turizmi për komunitetet lokale? A mund të sjellë investime në akomodim, gastronomi dhe shërbime, duke ruajtur njëkohësisht natyrën dhe identitetin e zonës?
Mendoj se ka shumë perspektivë ekonomike, sidomos për zonat rurale, sepse astroturizmi nuk sjell të ardhura vetëm nga vetë aktiviteti. Një turist që vjen për të parë qiellin duhet të akomodohet, të konsumojë, të transportohet, të ketë një guidë dhe zakonisht kërkon edhe aktivitete të tjera. Kështu përfitojnë bujtinat, restorantet, fermerët, guidat dhe bizneset e vogla lokale. Sigurisht që Shqipërisë i duhen investime dhe na duhen patjetër edhe hotele me 5 yje, sepse kemi nevojë të presim kategori të ndryshme turistësh dhe të rrisim standardin e ofertës sonë. Por kjo nuk do të thotë që çdo territor duhet ta zhvillojmë në të njëjtën mënyrë. Aty ku kemi ende autenticitet, duhet ta ruajmë me çdo kusht. Nëse për të zhvilluar turizmin shkatërrojmë pikërisht natyrën, qetësinë, arkitekturën dhe mënyrën e jetesës për të cilat turisti ka ardhur, atëherë në fakt po shkatërrojmë vetë turizmin. Sidomos në zonat rurale, unë do të doja të shihja më shumë investim te familjet që kanë zgjedhur të qëndrojnë dhe të jetojnë aty. T’i ndihmojmë të përmirësojnë bujtinën, stanin, produktet e tyre, gastronominë dhe shërbimin, në mënyrë që të ardhurat nga turizmi të shkojnë drejtpërdrejt edhe te komuniteti. Për mua zhvillimi i mirë është pikërisht ky ekuilibër: të kemi edhe standarde të larta dhe investime serioze, por pa humbur atë Shqipëri autentike që turisti vjen të kërkojë. Sepse nëse humbasim atë, mund të kemi shumë ndërtime, por do të kemi shumë më pak arsye përse dikush duhet të na vizitojë.
Cilat janë territoret e tjera shqiptare që, sipas teje, kanë potencial për astroturizëm? A mund të krijohet një hartë shqiptare e destinacioneve nën yje?
Po, mendoj se një hartë shqiptare e destinacioneve nën yje jo vetëm që mund të krijohet, por do të ishte një projekt shumë interesant për të ardhmen. Shqipëria ka shumë zona me potencial, nga Shebeniku, Prespa, Tomorri, zonat malore të Korçës, Përmeti dhe Dibra, deri në veri me Lëpushën, Vermoshin, Thethin dhe Valbonën. Por nuk do ta shihja thjesht si një hartë ku vendosim disa pika. Çdo zonë duhet të vlerësohet realisht: ndotja nga drita, cilësia e qiellit, aksesi, mundësitë e akomodimit dhe çfarë eksperience mund të ndërtohet rreth saj. Pra, krahas stargazing, të përfshihen bujtinat, stanet, gastronomia, hiking dhe aktivitetet që ofron komuniteti lokal. Është një ide që do të doja shumë ta zhvillonim në të ardhmen si një “Albania Under the Stars”, ku turisti të mund të zgjedhë destinacionin jo vetëm për atë që mund të zbulojë gjatë ditës, por edhe për qiellin që mund të shijojë gjatë natës. Dhe një hartë e tillë do të kishte edhe një rol tjetër shumë të rëndësishëm: të identifikojmë dhe të ruajmë zonat me qiell të errët nga ndotja e dritës. Sepse nuk mjafton t’i promovojmë sot; duhet të kujdesemi që edhe pas shumë vitesh të vazhdojmë t’i shohim yjet po aq bukur.

Çfarë i duhet Shqipërisë për ta kthyer një eksperiencë si kjo nga një event të bukur në një produkt turistik të qëndrueshëm dhe të eksportueshëm ndërkombëtarisht?
Mendoj se hapi i parë është që astroturizmin të mos e shohim vetëm si një event që organizohet disa net në vit. Për t’u kthyer në një produkt të qëndrueshëm dhe të shitshëm ndërkombëtarisht, duhet të ndërtojmë paketa që funksionojnë gjatë gjithë vitit dhe që lidhin stargazing me akomodimin, gastronominë, hiking, aktivitetet në natyrë dhe komunitetin lokal. Ne te Star Campers kemi filluar ta provojmë këtë model edhe me ture private dhe grupe të huaja, duke bashkëpunuar me agjenci turistike, bujtina dhe operatorë të ndryshëm. Por që të rritet në nivel kombëtar, duhet shumë më tepër bashkëpunim mes operatorëve privatë, komuniteteve dhe institucioneve. Duhet të investojmë te pajisjet, guidat e specializuara, trajnimi i stafeve dhe standardi i shërbimit, sepse turisti ndërkombëtar nuk blen vetëm një qiell të bukur; ai blen gjithë eksperiencën. Njëkohësisht duhet të ruajmë zonat me ndotje të ulët nga drita. Nëse duam ta shesim qiellin si produkt turistik, duhet fillimisht ta mbrojmë atë. Dhe mbi të gjitha, nuk mendoj se duhet të kopjojmë modele të gatshme nga jashtë. Shqipëria duhet ta ndërtojë produktin e saj mbi atë që ka të veçantë: bujtinat, stanet, natyrën, ushqimin, njerëzit dhe mënyrën tonë të mikpritjes. Teknologjinë mund ta blejë kushdo; autenticitetin nuk mund ta importosh. Nëse arrijmë ta ruajmë këtë dhe njëkohësisht të ngremë standardin e shërbimit, atëherë kemi një produkt që mund ta shesim shumë mirë edhe në tregun ndërkombëtar.
Nëse një turist i huaj do të të pyeste: “Pse duhet të vij deri në Shqipëri vetëm për të parë yjet?”, çfarë do t’i përgjigjeshe?
Do t’i përgjigjesha shumë thjesht: nuk duhet të vish në Shqipëri vetëm për të parë yjet. Duhet të vish për të përjetuar gjithçka që Shqipëria të ofron nën ta. Yjet mund t’i shohësh në shumë vende të botës, ndoshta edhe me observatorë apo teknologji shumë më të avancuar se ne. Por Shqipëria ka një avantazh të madh: në shumë zona të vendit ndotja nga drita është ende e ulët, sidomos në zonat malore dhe rurale. Kjo na jep mundësinë të shohim një qiell shumë të pastër, Rrugën e Qumështit, meteorët dhe shumë objekte të tjera qiellore. Por për mua, diferencën e bën ajo që ndodh përpara se të bjerë nata. Mund ta nisësh ditën duke ecur në një shteg malor, të ndalosh në një stan, të provosh ushqimin e një familjeje lokale, të bësh horse riding apo Jeep Adventure dhe në mbrëmje të përfundosh larg dritave, me një teleskop përpara dhe qiellin sipër. Ne nuk duam t’i shesim turistit vetëm qiellin, por gjithë eksperiencën që ndodh deri në momentin kur ai ngre sytë lart. Dhe ndoshta kjo është arsyeja më e mirë për të ardhur deri në Shqipëri: jo sepse kemi yje që nuk ekzistojnë diku tjetër, por sepse ende kemi vende ku mund t’i shijosh në errësirë, në qetësi, mes natyrës dhe njerëzve, duke përjetuar një Shqipëri që vazhdon të jetë autentike.


Dhe në fund, Lyto, pas këtyre tri netëve: çfarë ndjesie të la Shqipëria nën yje? A mendon se pikërisht në këtë qetësi, larg dritave të qyteteve, zbulojmë një nga bukuritë më autentike të vendit tonë?
Ndjesia që më lanë këto net është shumë pozitive. Për mua, gjëja më e rëndësishme janë njerëzit që vijnë dhe rikthehen përsëri me ne. Ka persona që na kanë ndjekur në destinacione të ndryshme dhe kjo për mua vlen më shumë se çdo shifër, sepse tregon që Star Campers nuk është thjesht një aktivitet ku vjen një herë, por një eksperiencë me të cilën njerëzit krijojnë një lidhje. Ajo që më mbetet gjithmonë pas çdo nate janë momentet e vogla: njerëz që pak orë më parë nuk njiheshin dhe më pas i sheh duke biseduar së bashku, muzikën me kitarë rreth zjarrit, historitë që tregohen, të qeshurat dhe pastaj momentin kur gjithçka ndalon, dritat fiken dhe të gjithë shtrihen në bar për të parë qiellin. Shpesh aty fillojnë edhe kujtimet e fëmijërisë dhe bisedat bëhen krejt të tjera. Mendoj se kjo është një nga bukuritë më autentike që kemi ende në Shqipëri: mundësia për t’u larguar nga zhurma, për t’u afruar me natyrën dhe, ndoshta, edhe pak me njëri-tjetrin. Sigurisht, bashkë me gjithë këtë kënaqësi ka edhe një keqardhje. Kur një ide lind nga pasioni, ndërtohet për vite dhe më pas sheh koncepte shumë të ngjashme të riprodhohen pa u njohur puna që është bërë më parë, të vjen keq. Akoma më shumë kur iniciativa të tilla nuk gjejnë fillimisht mbështetjen e duhur nga institucionet, por më vonë ide të ngjashme i sheh të shfaqen në projekte apo aktivitete publike. Unë do të preferoja që shteti të mbështeste njerëzit që krijojnë ide, t’i ulte në tavolinë dhe të bashkëpunonte me ta, në vend që ideja të shkëputet nga ata që e kanë ndërtuar. Megjithatë, në fund mbeten njerëzit dhe emocionet. Kur dikush largohet dhe të thotë “na ktheve një copëz të fëmijërisë”, apo të shkruan për të pyetur se ku do të jetë aktiviteti i radhës, aty e kuptoj që ia ka vlejtur. Dhe kjo është Shqipëria nën yje që dua të vazhdojmë të tregojmë: e thjeshtë, e qetë, njerëzore dhe autentike.
“Kur një ide lind nga pasioni, ajo meriton të dëgjohet; kur sjell njerëzit, ekonominë dhe vëmendjen drejt një territori, ajo meriton të mbështetet. Astroturizmi nuk është vetëm të shohësh yjet... është të kuptosh se sa shumë vlerë ka toka poshtë tyre! G Travel with Style”
Lexime të Ngjashme
Zgjedhur për ju sipas temës dhe destinacionit.
Buletini
Udhëto me Stil, drejt asaj që të frymëzon.
Bashkohu me buletinin tonë për të marrë rrëfime udhëtimi, destinacione të reja, ftesa ekskluzive dhe përzgjedhjet më të mira nga G Travel with Style.
