
Ka peizazhe që nuk kërkojnë të impresionojnë. Mjafton heshtja e tyre. Në shkretëtirën Negev, aty ku horizonti duket sikur nuk ka fund, Six Senses Shaharut lind nga toka pa u përpjekur ta sfidojë atë. Arkitektura ndjek ngjyrat, materialet dhe ritmin e peizazhit, duke krijuar një resort që nga larg pothuajse humbet mes gurëve dhe relievit. Këtu luksi ndryshon masë. Nuk përcaktohet nga teprica, por nga hapësira. Nga drita që ndryshon gjatë ditës, nga horizonti i lirë, nga një mëngjes pa zhurmë dhe nga perëndimet që e kthejnë shkretëtirën në një paletë ngjyrash okër, rozë e ari.
Dhomat dhe vilat ruajnë një dialog të vazhdueshëm me natyrën. Guri, druri, teksturat e ngrohta dhe tonalitetet e tokës krijojnë ambiente ku dizajni nuk kërkon protagonizëm. Ai shërben për ta afruar njeriun me vendin. Edhe përvoja e mikpritjes ndjek të njëjtën filozofi: wellness, kuzhinë e lidhur me territorin, ecje në shkretëtirë dhe momente të konceptuara jo për të mbushur ditën, por për t’i rikthyer asaj një ritëm tjetër. Ndoshta kjo është arsyeja pse Shaharut tregon kaq mirë një drejtim të ri të hospitality-së ndërkombëtare: destinacioni nuk është sfondi i hotelit. Është vetë hoteli që duhet të mësojë të bëhet pjesë e destinacionit. Në një botë që udhëton gjithnjë e më shpejt, Six Senses Shaharut propozon të kundërtën: të ndalosh. Dhe ndonjëherë, privilegji më i madh i një udhëtimi është pikërisht ky: të dëgjosh heshtjen e një vendi.


Buletini
Udhëto me Stil, drejt asaj që të frymëzon.
Bashkohu me buletinin tonë për të marrë rrëfime udhëtimi, destinacione të reja, ftesa ekskluzive dhe përzgjedhjet më të mira nga G Travel with Style.